KF Llapi njofton me kënaqësi se futbollistët tanë, Arianit Hasani dhe Fuad Ajvazi, janë ftuar nga përzgjedhësi i Kombëtares U21 të Kosovës, Hekuran Kryeziu, për ndeshjet e radhës kualifikuese për Kampionatin Evropian U21, 2027.
Gjatë këtij grumbullimi, Kosova U21 do të zhvillojë tri ndeshje kualifikuese. Fillimisht, më 24 shtator 2026, Dardanët e rinj do të përballen me San Marinon në udhëtim, në San Marino Stadium në Serravalle, me fillim nga ora 20:30.
Më pas, më 30 shtator, Kosova do të jetë nikoqire e Qipros në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00. Ndeshjen e fundit të këtij grumbullimi, përfaqësuesja jonë do ta zhvillojë më 6 tetor, kundër Finlandës, po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 19:00.
Klubi ynë i uron Arianit Hasanit dhe Fuad Ajvazit shumë suksese në këtë grumbullim dhe paraqitje sa më të mira me fanellën e Kombëtares së Kosovës.

