KF Llapi njofton se ka arritur marrëveshje me klubin turk Bodrum FK për transferimin e futbollistit Elvir Gashijani, i cili karrierën e tij do ta vazhdojë në futbollin turk.
Ky transferim paraqet një tjetër marrëveshje të rëndësishme për klubin tonë, e cila sjell përfitim financiar për KF Llapin, ndërsa klubi ynë ka ruajtur edhe përqindje në kartonin e lojtarit, duke krijuar mundësi për përfitime të mëtejshme nga një transferim i ardhshëm.
Elvir Gashijani iu bashkua KF Llapit në vitin 2023, duke ardhur si një futbollist i ri dhe me potencial të madh. Gjatë periudhës së tij me fanellën bardhekaltër, Elviri u zhvillua dhe u shndërrua në një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës, duke regjistruar 103 paraqitje, 7 gola dhe 14 asistime.
Paraqitjet e tij me Llapin i mundësuan gjithashtu të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës U17, U19 dhe U21.
KF Llapi është krenar që edhe një tjetër futbollist i zhvilluar dhe promovuar në klubin tonë po bën hapin drejt një kampionati jashtë vendit. Ky transferim dëshmon edhe një herë përkushtimin e klubit në zhvillimin e talentëve dhe krijimin e mundësive për ta vazhduar karrierën në nivele më të larta.
Elvir, faleminderit për kontributin, përkushtimin dhe çdo moment të kaluar me fanellën e Llapit!
Të urojmë shumë suksese në aventurën e re me Bodrum FK dhe në vazhdimin e karrierës tënde!

