KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Rilind Hetemi, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e familjes bardhekaltër.
24-vjeçari, i cili luan si mesfushor qendror dhe ofensiv, ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin, e vlefshme deri në verën e vitit 2029.
Rilind Hetemi është produkt i akademisë së njohur të Borussia Dortmund, ku kaloi një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të tij si futbollist. Gjatë karrierës së tij ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares së Gjermanisë për grupmoshat U15, U16 dhe U17, duke konfirmuar potencialin dhe cilësinë e tij që në moshë të re.
Pas eksperiencës në futbollin gjerman, Hetemi u rikthye në Kosovë, ndërsa së fundmi ishte pjesë e FC Malisheva, ku me paraqitjet e tij dëshmoi cilësitë në repartin e mesfushës.
Rilindi pritet të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën dhe një element i rëndësishëm në objektivat e klubit për sezonet në vazhdim.
KF Llapi i uron Rilind Hetemit mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër!

