KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mesfushorin qendror Loris Kolgeci, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e klubit tonë.
20-vjeçari ka nënshkruar kontratë me Llapin deri në verën e vitit 2029, duke u bërë pjesë e projektit bardhekaltër për tri sezonet e ardhshme.
Kolgeci i bashkohet ekipit tonë si përforcim i rëndësishëm për repartin e mesfushës, duke sjellë cilësi dhe perspektivë për të ardhmen.
Pavarësisht interesimit të madh nga disa klube të tjera të futbollit kosovar, Kolgeci ka vendosur t’i bashkohet Llapit, duke besuar në projektin sportiv të klubit dhe në rrugëtimin që shumë futbollistë kanë ndërtuar me sukses nga Podujeva drejt futbollit evropian.
Mesfushori i talentuar vjen nga FC Ballkani, skuadër me të cilën regjistroi gjithsej 24 paraqitje me ekipin e parë, 11 prej tyre gjatë sezonit të fundit, duke fituar përvojë të vlefshme si në garat vendore ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Me potencialin e madh për zhvillim të mëtejshëm, Kolgeci pritet të rrisë konkurrencën dhe të shtojë kualitetin në repartin e mesfushës së skuadrës sonë.
Transferimi i Kolgecit konfirmon edhe një herë përkushtimin e drejtuesve të klubit për të investuar në futbollistë të rinj dhe cilësorë, duke vazhduar traditën e promovimit dhe zhvillimit të talentëve.
KF Llapi i uron mirëseardhje Lorisit dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.

