KF Llapi ka barazuar 1-1 në udhëtim te FC Drenica, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë duke marrë një pikë të rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit.
Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 16-të, kur pas një aksioni nga krahu i djathtë, Kreshnik Uka depërtoi në zonë dhe pas një vendosjeje jo të mirë të mbrojtjes sonë, topi përfundoi te Ronaldo Chacon, i cili u gjend më së miri dhe realizoi për 1-0.
Llapi reagoi dhe krijoi disa raste të mira për shënim. Në minutën e 41-të, Edon Sadriu provoi me një goditje të rrezikshme, por tentativa e tij u devijua fillimisht nga Osmanllari, ndërsa në reagimin e dytë portieri Haxhihamza evitoi një gol të sigurt.
Në përpjekje për të gjetur golin e barazimit, skuadra jonë u gjend jo mirë e vendosur në minutën e 57-të, kur Igball Jashari nuk arriti të shënojë nga afërsia pas një depërtimi të mirë të Chacon. Pas katër minutash, vendasit mbetën me 10 futbollistë në fushë, pasi Jashari u përjashtua me karton të kuq direkt për prekje të topit me dorë në aksionin sulmues të ekipit tonë, duke mohuar mundësi të pastër shënimi.
Nga kjo minutë, ekipi ynë mori iniciativën dhe rrezikoi seriozisht. Në minutën e 80-të, Hasan Hyseni ishte shumë pranë golit, por goditja e tij shkoi fare pranë pingules së portës së Haxhihamzës.
Barazimi erdhi në minutën e 82-të, kur Arbnor Ramadani realizoi pas asistimit të sulmuesit Fiton Ademi, i cili la gjurmë qysh në paraqitjen e parë me fanellën bardhekaltër. Vetëm tre minuta më vonë, Muhamet Hyseni ishte pranë golit të fitores, por nuk arriti të shfrytëzojë një pasim shumë të mirë të Ademit.
Në fund, një pikë nga “Liman Gegaj” mbetet mjaft e vlefshme për ecurinë e kampionatit.
Në formacionin startues debutoi qendërmbrojtësi Haris Ibrisagic, ndërsa në pjesën e dytë minutat e para me ekipin i morën edhe Fiton Ademi dhe Francisco Neto.
Llapi ndeshjen e radhës e zhvillon në kuadër të Kupës së Kosovës, në udhëtim te Drita. Takimi luhet të martën, më 10 shkurt, në stadiumin ndihmës në Gjilan.
Në këtë përballje munguan Arianit Hasani për shkak të lëndimit, si dhe Lulzim Peci për shkak të suspendimit nga kartonët e verdhë.
Albi Mall Superliga – Java 19
FC Drenica 1-1 KF Llapi
Stadiumi: “Liman Gegaj”, Malishevë
Shikues: afro 200
Golashënues: Ronaldo Chacon 16′ / Arbnor Ramadani 82′ (Llapi)
Kartonët e verdhë: Indrit Prodani 25′, Granit Jashari 88′ / Muhamet Hyseni 60′, Elvir Gashijani 67′
Përbërjet:
Drenica: 1. Kenan Haxhihamza – 27. Anteo Osmanllari, 6 Christian Da Silva, 4. Granit Jashari, 13. Indrit Prodani – 10. Genc Hamiti © (22. Eneid Kodra – 90+3′), 36. Ronaldo Chacon, 21. Fjoart Jonuzi, 23. Ian Soler – 7. Igball Jashari, 28. Kreshnik Uka (70. Victor Da Silva – 90+2′). Kryetrajner: Thomas Brdaric
Llapi: 1. Marijan Coric – 5. Fuad Ajvazi, 6. Luan Lleshi, 82. Haris Ibrisagic (77. Elvir Gashijani – 66′), 2. Enedin Mulalic, 19. Arbër Bytyqi (18. Ilir Blakçori – 66′) – 3. Arbnor Aliu (90. Francisco Neto – 83′), 10. Arbnor Ramadani ©, 11. Edon Sadriu (98. Fiton Ademi – 75′) – 27. Hasan Hyseni, 17. Muhamet Hyseni.
Zëvendësues: 55. Aridon Bllaca, 15. Landrit Rama, 8. Benjamin Emini, 4. Bujar Idrizi, 23. Besar Musolli, 28. Blendion Llalloshi, 26. Benjamin Zyberi, 21. Mërgim Cërnavërni. Kryetrajner: Tahir Batatina

