Match report: FC Kaysar Kyzylorda 1-2 KF Llapi

KF Llapi ka regjistruar fitoren e parë në fazën përgatitore në Antalya, duke triumfuar me rezultat 2-1 ndaj skuadrës kazake Kaysar Kyzylorda, në ndeshjen e tretë miqësore.

Takimi nisi furishëm për bardhekaltërit, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e 12-të, kur Edon Sadriu realizoi pas një asistimi të saktë nga Enedin Mulalic. Vetëm dy minuta më vonë, në minutën e 14-të, erdhi edhe goli i dytë, këtë herë nga Hasan Hyseni, pas një aksioni të ndërtuar bukur, ku asistues ishte vetë Edon Sadriu.

Pjesa e parë i takoi plotësisht ekipit tonë, me lojë dominuese, aksione të shpejta dhe kontroll të vazhdueshëm të ritmit të ndeshjes.

Afër përfundimit të pjesës së parë, pati një moment tensioni mes futbollistëve të të dyja skuadrave, si pasojë e lojës së ashpër dhe ndërhyrjeve të shpeshta gjatë takimit. Situata u qetësua shpejt falë ndërhyrjes së stafeve të të dy klubeve dhe ndeshja vazhdoi normalisht. Gjatë gjithë ndeshjes u evidentuan disa ndërhyrje të rrezikshme, të cilat kërkuan edhe intervenimin e stafit mjekësor në disa raste.

Në pjesën e dytë, Kaysar arriti të shënojë golin e vetëm, por pa arritur në asnjë moment ta rrezikojë fitoren e bardhekaltërve, të cilët e menaxhuan me qetësi lojën deri në fund.

Vlen të theksohet se për shkak të lëndimit, sulmuesi Muhamet Hyseni tashmë dy ndeshje radhazi nuk është paraqitur, ndërsa Arbnor Ramadani nuk u rrezikua për këtë takim për shkak të një shqetësimi muskulor.

Formacioni startues i Llapit:
Aridon Bllaca – Enedin Mulalic, Luan Lleshi, Fuad Ajvazi, Haris Ibrisagic, Arbër Bytyqi – Lulzim Peci, Arbnor Aliu, Arianit Hasani (C) – Hasan Hyseni, Edon Sadriu.

Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe:
Marijan Coric – Benjamin Emini, Bujar Idrizi, Gentrit Jaha, Landrit Rama, Ilir Blakçori – Besar Musolli, Francisco Neto, Leonot Bajrami – Mërgim Cërnavërni, Elvir Gashijani.

KF Llapi ndeshjen e fundit miqësore në Antalya do ta zhvillojë më 30 janar ndaj FC Kudrivka, ndërsa faza përgatitore do të përmbyllet më 2 shkurt.