Komunikatë Zyrtare: Aulon Shabani

Klubi Futbollistik Llapi njofton opinionin publik se me marrëveshje të dyanshme ka përfunduar bashkëpunimin me qendërmbrojtësin 22-vjeçar, Aulon Shabani.

Pas diskutimeve mes palëve, është arritur marrëveshje për ndërprerjen e kontratës, duke marrë parasysh dëshirën e futbollistit për të kërkuar më shumë hapësira dhe mundësi të reja për vazhdimin e karrierës së tij.

Shabani, i cili së fundmi ishte i huazuar te Liria, ka qenë nën kontratë me klubin përgjatë katër viteve të fundit.

Klubi ka mirëkuptuar kërkesën e lojtarit dhe ka vendosur të mbështesë hapat e tij të ardhshëm në karrierë, duke i mundësuar të vazhdojë rrugëtimin e tij në kërkim të më shumë minutave dhe hapësirës për zhvillim.

KF Llapi e falënderon Aulonin për kontributin, angazhimin dhe korrektësinë e treguar gjatë periudhës sa ishte pjesë e klubit, duke i uruar shëndet, suksese dhe arritje sa më të mëdha në sfidat e ardhshme.

Faleminderit, Aulon dhe shumë suksese në vazhdim të karrierës!