KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Ali Adem, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e klubit tonë.
Futbollisti 26-vjeçar ka nënshkruar kontratë me KF Llapi deri në verën e vitit 2028, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.
Ali Adem vjen në Podujevë me një përvojë të pasur ndërkombëtare, pasi gjatë karrierës së tij ka mbrojtur ngjyrat e klubeve si Vardar, Aris Thessaloniki, Shkupi, Veria dhe së fundmi Makedonija Gjorçe Petrov. Përveç karrierës në nivel klubesh, ai ka qenë pjesë e të gjitha grupmoshave përfaqësuese të Maqedonisë së Veriut, duke regjistruar paraqitje edhe me ekipin A.
Pas disa ndryshimeve në skuadër në repartin e mesfushës, Adem pritet të sjellë stabilitet dhe cilësi shtesë në këtë repart të skuadrës sonë.
Me transferimin e Ali Adem, KF Llapi vazhdon ndërtimin e ekipit për sezonin 2026/27, me synimin për të qenë sa më konkurrues në të gjitha garat.
KF Llapi i uron mirëseardhje Ali Ademit dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.

