Klubi Futbollistik Llapi njofton se me përfundimin e edicionit 2025/26 ka skaduar kontrata e futbollistit Hasan Hyseni, duke përmbyllur kështu bashkëpunimin mes palëve.
Sulmuesi i krahut të majtë ishte pjesë e skuadrës gjatë sezonit 2025/26 dhe u dallua për gatishmërinë e tij për të kontribuar në pozicione të ndryshme në fushë sipas nevojave të ekipit.
Në edicionin e fundit, Hyseni regjistroi 37 paraqitje me fanellën bardhekaltër në të gjitha garat, duke kontribuar me 2 gola dhe 4 asistime.
Përtej statistikave, klubi vlerëson angazhimin që “Cani” tregoi gjatë gjithë periudhës sa ishte pjesë e ekipit, pasi që ishte ndër futbollistët me më së shumti minuta të luajtura në fushë (3061′ gjithsejt).
KF Llapi e falënderon Hasan Hysenin për kontributin e dhënë me fanellën bardhekaltër dhe i uron shëndet, suksese dhe sa më shumë arritje në vazhdim të karrierës së tij.
Faleminderit për gjithçka, “Cani”!

