Reagim zyrtar i KF Llapi ndaj Vendimit te Komisionit Disiplinor dhe Etikës në lidhje me dënimin pa shikues

KF Llapi shpreh pakënaqësinë e thellë ndaj vendimit të sotëm të Komisionit Disiplinor dhe Etikës, i cili është marrë në mënyrë të ngutshme, pa u bazuar në fakte të plota dhe pa pasqyruar gjendjen reale të ngjarjes së ndodhur pas ndeshjes ndaj KF Drenica.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se klubi ynë është “recidivist” në raste të tilla, gjë që nuk qëndron dhe nuk përputhet me realitetin. KF Llapi ka kohë të gjatë që nuk është përfshirë në procedura disiplinore për incidente të natyrës së tillë, prandaj cilësimi i tillë është i pabazë dhe i padrejtë.

Lidhur me pretendimet për sulm ndaj autobusit të ekipit mysafir, dëshirojmë të sqarojmë se faktet zyrtare të konfirmuara nga Stacioni Policor në Podujevë tregojnë një realitet krejtësisht tjetër nga ai i paraqitur në raportin e delegatit dhe më pas në vendimin e Komisionit.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, pas përfundimit të ndeshjes, tifozët mysafirë janë përcjellë nga policia dhe incidenti ka ndodhur larg stadiumit, ku një person i vetëm ka gjuajtur me një shishe parfumi duke dëmtuar xhamin e autobusit. I dyshuari është arrestuar menjëherë dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për dëmtim apo asgjësim prone.

Pra, është vërtetuar qartë se autobusi nuk është sulmuar nga tifogrupi “Legjendat”, ashtu siç është pretenduar padrejtësisht. Për më tepër, gjatë gjithë kohës kur autobusi i ekipit mysafir ka qenë duke u larguar, tifozët tanë kanë qenë të ndaluar nga policia brenda tribunës veriore dhe nuk ka pasur asnjë kontakt apo incident nga ana e tyre.

Gjithashtu, është e vërtetë se ka pasur hedhje të disa shisheve PVC nga tribunat në momentin e hyrjes së ekipit mysafir në zhveshtore. Kjo situatë ka qenë nën kontrollin e forcave policore dhe është dashur të ketë reagim më të madh e më të menjëhershëm nga organet përgjegjëse të sigurisë, me qëllim të parandalimit të çdo incidenti të mundshëm. Fatmirësisht, nga ajo situatë nuk ka pasur asnjë të lënduar, as nga stafi dhe as nga futbollistët e FC Drenica.

Bazuar në këto fakte zyrtare, konsiderojmë se vendimi i marrë ndaj klubit tonë është i padrejtë dhe i pabazuar. Për këtë arsye, KF Llapi sot ka ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi dhe pret që organet kompetente ta shqyrtojnë me prioritet, duke marrë vendim të drejtë dhe duke anuluar masën e shqiptuar.

Ne presim që ndeshja e nesërme, derbi ndaj FC Prishtina, të zhvillohet me praninë e tifozëve, përfshirë tifozët llapjanë “Legjendat” dhe tifozët mysafirë “Plisat”, në një atmosferë sportive dhe festive, ashtu siç i ka hije futbollit kosovar.

KF Llapi do të vazhdojë të mbrojë të drejtën dhe të vërtetën e klubit me vendosmëri, duke kërkuar vetëm trajtim të drejtë dhe vendime të bazuara në fakte.

Zyra për marëdhënie me publikun
Podujevë, 17 prill 2026.