Kënaqësi t’iu njoftojmë se futbollisti ynë, Ahmed Januzi, është shpallur Ylli i Javës në Albi Mall Superligën për xhiron e gjashtë, një vlerësim që është ndarë nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori Albi Mall. Ky çmim erdhi si rezultat i paraqitjes së tij të shkëlqyer në fitoren kundër FC Ferizaj, ku Januzi shënoi golin vendimtar, duke i siguruar skuadrës tonë pikët e plota në transfertë.
Në 78 minuta lojë, Januzi u shqua si lider në fushë dhe kontribuoi në fitoren me rezultat 0:1, në një ndeshje që u vlerësua si shumë e vështirë. Komisioni i Veteranëve të Futbollit përzgjodhi Januzin për këtë çmim, duke nënvizuar rolin e tij kyç në suksesin e ekipit tonë.
Pas marrjes së këtij çmimi, Januzi u shpreh: “Është gjithmonë kënaqësi të shpallesh më i miri i javës, por ky është një sukses i gjithë ekipit. Synimi ynë është që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje.”