KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë se ka arritur marrëveshje për nënshkrimin e kontratës afatgjatë deri në vitin 2031 me qendërsulmuesin e talentuar të grupmoshës U19, Erdi Reçica, duke konfirmuar besimin dhe përkushtimin e klubit në zhvillimin dhe promovimin e talentëve nga akademia.
Reçica ishte një ndër protagonistët e suksesit të ekipit U21 në sezonin e kaluar, duke kontribuar në shpalljen kampion me 13 gola dhe 4 asistime në vetëm 16 paraqitje, statistika që dëshmojnë potencialin dhe cilësitë e tij në repartin ofensiv.
Edhe sezonin aktual e nisi me paraqitje premtuese, duke realizuar 1 gol në 3 ndeshje me ekipin U19, mirëpo një lëndim e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke ndërprerë përkohësisht rrugëtimin e tij në fushën e lojës.
Pavarësisht këtij momenti të vështirë, KF Llapi ka dëshmuar besimin e plotë në potencialin dhe të ardhmen e Reçicës, duke i ofruar siguri dhe mbështetje përmes një kontrate afatgjatë. Klubi beson se ai do të rikthehet edhe më i fortë, për të vazhduar zhvillimin e tij dhe për të dëshmuar sërish instinktin e golashënuesit.
Kjo marrëveshje është një tjetër dëshmi e strategjisë së KF Llapit për të investuar në talentët e rinj dhe për t’u krijuar atyre mundësi që të ndërtojnë të ardhmen e tyre me fanellën bardhekaltër.
Erdiut i urojmë shërim të shpejtë, rikthim sa më të suksesshëm në fushë dhe shumë gola e suksese me fanellën bardhekaltër!

