Komunikatë Zyrtare: Agon Mucolli

Klubi Futbollistik Llapi njofton se ka arritur marrëveshje me futbollistin Agon Mucolli, i cili nga sot është zyrtarisht futbollist i klubit tonë.

Futbollisti 27-vjeçar, i cili aktivizohet në krahun e majtë të sulmit, i bashkohet Llapit me një përvojë të konsiderueshme në futbollin evropian, veçanërisht në atë danez, ku ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij.

Mucolli ka qenë pjesë e skuadrave si FC Fredericia, Vejle BK, Odense BK, Kristiansund BK dhe Varbergs BoIS, duke luajtur në nivele të mëdha të futbollit profesionist.

Periudha e tij më e suksesshme ka qenë te FC Fredericia, ku në 102 paraqitje ka realizuar 29 gola dhe ka regjistruar 22 asistime, duke lënë gjurmë të rëndësishme në repartin ofensiv të klubit.

Gjatë karrierës së tij, Mucolli ka fituar përvojë edhe në nivele ndërkombëtare, pasi ka qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U21.

Mucolli pritet të jetë një nga pjesët e rëndësishme të projektit të klubit për sezonet e ardhshme pasi ka firmosur kontratë me KF Llapi deri në vitin 2028.

Me këtë transferim, KF Llapi vazhdon të forcojë skuadrën dhe të ndërtojë një ekip konkurrues, në përputhje me ambiciet dhe objektivat e klubit.

Mirë se erdhe Agon, të urojmë shëndet dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër!