KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin e Ahmed Januzit në shtëpinë bardhekaltër, tashmë në një rol të ri në shtabin teknik të skuadrës, si asistent trajner.
Pas një karriere të pasur si futbollist, Januzi rikthehet në klubin ku ka lënë gjurmë të rëndësishme, duke mbrojtur ngjyrat e klubit tonë për katër vite, në tri periudha të ndryshme. Përvoja e tij në fushën e lojës, njohja e ambientit dhe lidhja e veçantë me klubin do të jenë vlerë e shtuar për ekipin.
Së fundmi, Januzi ka përfunduar me sukses edukimin trajnerial pranë FSHF-së, duke u pajisur me licencën UEFA A, dhe tashmë është i gatshëm të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në rolin e trajnerit.
Jemi të bindur se profesionalizmi, përkushtimi dhe përvoja e tij do të kontribuojnë në realizimin e objektivave të klubit në sezonin e ri.
Me këtë rast, pas përfundimit të kontratës, klubi falënderon Sunaj Keqin për kontributin dhe punën e dhënë si asistent trajner gjatë periudhës së angazhimit të tij te KF Llapi, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.
Mirë se u ktheve në shtëpi, Ahmed!

