KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me futbollistin Edison Kqiku, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e klubit tonë.
27-vjeçari ka nënshkruar kontratë me KF Llapin deri në verën e vitit 2028 dhe do të jetë një prej përforcimeve të rëndësishme të skuadrës për sezonet në vijim.
Kqiku vjen nga SC Gjilani, klub ku është rritur dhe zhvilluar si futbollist, duke kaluar të gjitha grupmoshat e shkollës së futbollit. Që nga viti 2018 ai ishte pjesë e rregullt e ekipit të parë, ndërsa gjatë kësaj periudhe regjistroi plot 121 paraqitje me fanellën e Gjilanit, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Falë paraqitjeve të tij të mira në nivel klubesh, Kqiku ishte gjithashtu pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U19 dhe U21, duke u paraqitur në 10 ndeshje me U19 e U21.
Ish-kapiteni i Gjilanit, i bashkohet ekipit tonë me përvojë të konsiderueshme në elitën e futbollit kosovar dhe pritet të sjellë cilësi, stabilitet dhe konkurrencë në repartin e djathtë të skuadrës.
Transferimi i Edit është rezultat i një interesimi të kahershëm nga ana e klubit. Trajneri Tahir Batatina e ka vlerësuar prej vitesh profilin e tij si një futbollist që i përshtatet filozofisë së lojës së Llapit, ndërsa edhe vetë Kqiku e ka parë këtë transferim si hapin e duhur për vazhdimin e karrierës së tij.
KF Llapi i uron mirëseardhje Edisonit dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.

