Komunikatë Zyrtare: Marijan Coric

Klubi Futbollistik Llapi njofton opinionin publik se me përfundimin e kontratës ka përfunduar edhe bashkëpunimi me portierin Marijan Ćorić.

Portieri kroat ishte pjesë e familjes bardhekaltër për një vit e gjysmë, periudhë gjatë së cilës u shqua për profesionalizmin, përkushtimin dhe sigurinë që i dha repartit defensiv të skuadrës.

Gjatë kohës së tij te KF Llapi, Ćorić zhvilloi 56 ndeshje zyrtare, ndërsa në 19 prej tyre e mbajti portën të paprekur. Me paraqitjet e tij, ai dha kontribut të rëndësishëm në rrugëtimin e skuadrës, duke qenë pikë e fortë e ekipit në repartin defensiv.

Përtej statistikave, Marijani do të kujtohet si një profesionist i përkushtuar dhe një sportist shembullor, i cili me punën dhe seriozitetin e tij fitoi respektin e bashkëlojtarëve, stafit teknik dhe tifozëve bardhekaltër.

KF Llapi e falënderon sinqerisht Marijan Ćorić për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe dhe i uron shëndet, suksese dhe arritje të mëdha në vazhdim të karrierës së tij profesionale.

Faleminderit për gjithçka, Marijan!