KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë se ka arritur marrëveshje me qendërmbrojtësin Bujar Idrizi për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për sezonin e ardhshëm.
Pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet palëve, është arritur marrëveshja që Idrizi të vazhdojë të jetë pjesë e familjes bardhekaltër, duke konfirmuar besimin e ndërsjellë për bashkëpunimin e deritanishëm.
Idrizi ishte prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës gjatë sezonit të kaluar, ku regjistroi 28 paraqitje zyrtare me fanellën e bardhekaltër, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në repartin defensiv.
Vazhdimi i bashkëpunimit me Idrizin është një tjetër hap i rëndësishëm në ruajtjen e boshtit të skuadrës dhe ndërtimin e ekipit për sfidat që e presin klubin në sezonin 2026/27.
KF Llapi i uron Bujarit shumë suksese dhe paraqitje sa më të mira me fanellën bardhekaltër.

