KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me futbollistin holandez Joep Kluskens, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e klubit tonë.
Mesfushori defensiv 23-vjeçar ka nënshkruar kontratë me KF Llapi deri në verën e vitit 2029, duke iu bashkuar bardhekaltërve në prag të sezonit të ri garues.
Kluskens vjen nga futbolli holandez, një prej mjediseve më të zhvilluara në Evropë për formimin dhe zhvillimin e futbollistëve. Gjatë karrierës së tij ai ka qenë pjesë e akademive prestigjioze të Fortuna Sittard dhe PSV Eindhoven, ndërsa përvojën më të madhe profesionale e ka fituar me VVV-Venlo, nga ku edhe transferohet në klubin tonë.
Me fanellën e VVV-Venlo, Kluskens zhvilloi 71 ndeshje zyrtare, duke u dëshmuar si një prej futbollistëve më të rëndësishëm në repartin e mesfushës dhe duke fituar përvojë të vlefshme në futbollin holandez.
I njohur për disiplinën taktike, inteligjencën në lojë, qetësinë me topin dhe aftësinë për të kontrolluar ritmin e ndeshjes, Kluskens pritet të sjellë cilësi dhe stabilitet në mesfushën e skuadrës sonë.
Transferimi i tij vjen si përpjekje e drejtuesve të klubit për ndërtimin e ekipit për sezonet e ardhshme, teksa klubi vazhdon të forcohet me futbollistë cilësorë nga tregu ndërkombëtar.
KF Llapi i uron mirëseardhje Joep Kluskens dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.

