Komunikatë Zyrtare: Maximilian Grote

KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë zyrtarisht angazhimin e portierit gjerman, Maximilian Grote, i cili ka nënshkruar kontratë me klubin tonë deri në verën e vitit 2027.

“Maxi” i bashkohet Llapit pas eksperiencës së fundit me FC Shkupi, ndërsa gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë edhe e akademisë së SV Wehen Wiesbaden U19 si dhe ka mbrojtur ngjyrat e FV Engers 07 dhe RW Koblenz në Gjermani.

Angazhimi i portierit të ri vjen si domosdoshmëri pas lëndimit të portierit tonë, Marijan Coric, çka ka shtyrë klubin të reagojë me kohë për të siguruar stabilitet dhe konkurrencë në repartin defensiv. Duke marrë parasysh ndeshjet shumë të rëndësishme që na presin në vazhdim të kampionatit dhe në Kupë, ishte e nevojshme të intervenohej menjëherë për të garantuar konkurrencë dhe siguri mes shtyllave deri në rikuperimin e plotë të tij.

Klubi njofton se të gjitha procedurat administrative dhe çështjet e regjistrimit të lojtarit janë përfunduar me sukses, dhe Maximilian Grote është i gatshëm të vihet menjëherë në dispozicion të stafit teknik.

KF Llapi i uron mirëseardhje Maximilian Grote-s dhe i dëshiron suksese me fanellën bardhekaltër!