Komunikatë Zyrtare: Fiton Ademi

Klubi Futbollistik Llapi me kënaqësi njofton angazhimin e sulmuesit të qendrës, Fiton Ademi.

23-vjeçari ka firmosur kontratë me klubin tonë, e cila do të jetë e vlefshme deri në verën e vitit 2028, dhe nga sot zyrtarisht bëhet pjesë e familjes bardhekaltër.

Ademi vjen te Llapi si kampion nga radhët e klubit Shkëndija, me të cilën në edicionin e kaluar ka fituar titullin kampion. Gjatë periudhës së tij te Shkëndija, sulmuesi ka regjistruar 69 paraqitje zyrtare, duke realizuar 16 gola dhe 9 asistime.

Në sezonin e fundit, Fiton Ademi ka zhvilluar paraqitje në garat evropiane, duke luajtur në kualifikimet e UEFA Champions League, Europa League dhe Conference League – arritje të rëndësishme për një futbollist vetëm 23-vjeçar. Me këtë përvojë, Ademi vjen në klubin tonë si një përforcim me vlera të larta, i gatshëm të kontribuojë menjëherë në realizimin e objektivave tona.

KF Llapi i uron Fiton Ademit mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër!