Match report: FC Oleksandriya 3-1 KF Llapi

KF Llapi ka zhvilluar ndeshjen e radhës miqësore në kuadër të fazës përgatitore në Antalya të Turqisë, duke u përballur me FC Oleksandriya, takim që përfundoi me rezultat 3-1 në favor të skuadrës kundërshtare.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi ekipit ukrainas, i cili shfrytëzoi rastet e krijuara dhe arriti të shënojë tre gola, duke e mbyllur fraksionin e parë të lojës me epërsi 3-0.

Në pjesën e dytë, stafi teknik kreu disa ndryshime në përbërjen e ekipit, çka ndikoi pozitivisht në lojën e skuadrës. Bardhekaltërit u paraqitën më mirë, ushtruan presion dhe krijuan disa raste të volitshme shënimi.

Goli i vetëm për Llapin erdhi në minutën e 62-të, kur Edon Sadriu realizoi me saktësi pas asistimit nga Arbnor Aliu, duke ngushtuar rezultatin në 3-1.

Rezultati nuk ishte në plan të parë për këtë takim, pasi që në këto ndeshje miqësore fokusi kryesor mbetet testimi i të gjithë futbollistëve, rritja e ngarkesës fizike dhe ndërtimi i formës optimale në prag të garave zyrtare.

Formacioni startues i KF Llapit:
Marijan Coric – Benjamin Emini, Bujar Idrizi, Landrit Rama, Ilir Blakçori – Arbnor Ramadani, Besar Musolli, Arianit Hasani (C) – Hasan Hyseni, Elvir Gashijani, Mërgim Cërnavërni.

Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe:
Aridon Bllaca – Arbër Bytyqi, Haris Ibrisagic, Fuad Ajvazi, Luan Lleshi, Enedin Mulalic – Arbnor Aliu, Lulzim Peci, Francisco Neto – Edon Sadriu, Redon Bejta.

Nga minuta e 75-të në lojë hynë edhe Blendion Llalloshi dhe Milot Nazifi.

KF Llapi do të vazhdojë përgatitjet me intensitet të shtuar edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa miqësorja e radhës e planifikuar për bardhekaltërit do të zhvillohet më 28 janar, ndaj skuadrës nga Kazakistani, FC Kaysar, në kuadër të fazës përgatitore.