Në prag të 94-vjetorit të themelimit të klubit promovohet libri “KF Llapi – Vit pas Viti”

Me promovimin e mbajtur sonte në Restorant Diamond në Podujevë, u finalizua puna disa vjeçare në realizimin e librit dokumentar “KF Llapi – Vit pas Viti” të autorit Esad Ejupi, një botim që dokumenton historinë, zhvillimin dhe trashëgiminë 94-vjeçare të KF Llapit, nga themelimi në vitin 1932 e deri në ditët e sotme.

Në emër të KF Llapit, fjalë rasti mbajti kryetrajneri Tahir Batatina, i cili theksoi se ky libër rikthen në vëmendje periudha të ndryshme historike të klubit, ku breza të tërë sportistësh, trajnerësh dhe veprimtarësh kanë dhënë kontribut të çmuar për skuadrën, shpesh në rrethana të vështira, por gjithmonë me përkushtim dhe dashuri ndaj fanellës bardhekaltër. Ai vlerësoi veçanërisht pionierët e klubit dhe të gjithë ata që, ndër vite, e kanë mbajtur gjallë dhe e kanë ngritur KF Llapin në nivele më të larta të futbollit kosovar.

Ceremonia u nderua me praninë e personaliteteve të shumta institucionale dhe sportive, përfshirë nënkryetarin e Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, ish-Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Podujevës, Isak Shabani, Sekretarin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi, deputetët Jeta Statovci e Besnik Tahiri si dhe komandantët Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi.

Promovimi i librit u mbështet nga KF Llapi, sponsorët e klubit, si dhe nga Komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.