Klubi Futbollistik “Llapi” njofton opinionin se ka vazhduar bashkëpunimin edhe për një vit me sulmuesin Ahmed Januzi.
Nënshkrimi i kontratës së re me Januzin vjen si rezultat i angazhimit maksimal të tij këtë sezon me ç’rast klubi e ka vlerësuar maksimalisht kontributin e tij të dhënë për skuadrën, për rezultatet e arritura dhe kualifikimin në Europa Ligë.
Edhe vetë Januzi ka qenë shumë i kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit, ku edhe është prononcuar për faqen zyrtare të klubit.
“Ndihem jashtëzakonisht i vlerësuar nga klubi pasi më ofroi kontratë të re, të cilën e pranova pa asnjë hezitim dhe jam shumë i kënaqur që do vazhdoj të jap kontributin tim për ekipin e Llapit. Këtu jemi si një familje dhe e mbështesim jashtëzakonisht shumë njëri-tjetrin, si stafi ashtu edhe futbollistët mes vete. Ndjej keqardhje që nuk e arritëm titullin kampion por tifozëve të zjarrtë “Ultras Legjendat” iu premtojmë angazhim maksimal për t’i gëzuar ata me suksese si në Evropë ashtu edhe në sezonin e ri të Superligës”
Januzi është paraqitur në 32 ndeshje (30 kampionat/2 Kupë) dhe ka kontribuuar me 10 gola e 4 asistime në 1638′ minuta të luajtura.