Klubi Futbollistik “Llapi” njofton publikun se ka filluar menjëherë punën për konsolidimin e ekipit për garat evropiane dhe stinorin e ri të Superligës, me ç’rast ka vazhduar bashkëpunimin edhe për dy vitet e ardhshme me porterin Ilir Avdyli.
Portieri shtatlartë nuk ka nevojë për shumë fjalë pasi që paraqitjet e tij në fushë e kanë dëshmuar kualitetin e tij.
Avdyli ka pasur sezon fantastik duke mbajtur plotë 16-herë portën e pa prekur, duke ofruar siguri të jashtëzakonshme për ekipin në secilën ndeshje që është paraqitur, madje pritjet e tij kanë qenë shpeshë herë vendimtare për rezultatet e ekipit.
Pas vazhdimit të kontratës, portieri Avdyli është prononcuar për faqen zyrtare, duke mos hezituar ta shprehë kënaqësin që do vijoj t’i mbroj ngjyrat tona edhe për dy vitet e ardhshme.
“Ndihem jashtëzakonisht i vlerësuar nga klubi që më propozoi ofertën për vazhdimin e kontratës. Natyrisht që kam pasur sezon shumë të mirë dhe nuk ishte fare e vështirë t’a pranoja ofertën për kontratën e re. Tash e tri vite kemi bërë punë shumë të mirë dhe presim ta vazhdojmë ritmin e njëjtë me suksese të reja si në Evropë ashtu edhe në kampionatin e ri. Fati nuk e deshi të fitojmë titullin këtë sezon, por edhe plasmani në Evropa Ligë është sukses. Me punën që po bëhet dhe organizimin shumë profesional shpresoj shumë që suksesi nuk do na mungoj”
Avdyli ka zhvilluar gjithsejt 133 paraqitje me ekipin bardhekaltër dhe dy vitet e ardhshme të kontratës do e rrisin këtë shifër edhe më shumë.