Ekipi U21 ka siguruar playoffin një xhiro pa përfunduar edicioni i rregullt i Ligës U21 pas fitores në ndeshjen derbi ndaj Ballkanit me rezultat 3:2. Të besuarit e trajnerit Mehmet Agushi ishin dominues përball ekipit suharekas, ku me plotë meritë arritën tre pikëshin e plasmanit në playoff.
Ndeshja nisi shumë mirë për ekipin tonë kur sulmuesi Eron Brajshori zhbllokoi shifrat në minutën e 3-t të takimit. Epërsia zgjati deri në minutën e 14-t kur Rinor Jahmurataj i mysafirëve barazoi rezultatin, kurse për ta rikthyer epërsin e ekipit tonë u përkujdes mesfushori Arianit Hasani që realizoi një super gol nga distanca (38′).
Në pjesën e dytë, ekipi ynë pati nën kontroll ndeshjen dhe arriti të realizoj edhe golin e tretë përmes Brajshorit (67′) për të cilin ishte goli i dytë personal në ndeshje. Krejt çka bënë mysafirët ishte goli i ngushtimit të epërsisë nga Destan Bytyqi në minutën e parë të kohës shtesë të takimit.
Pas kësaj fitoreje, ekipi U21 pozicionohet në vendin e katërt që siguron pjesëmarrjen në playoff me 47 pikë të grumbulluara, kurse në javën e fundit do përballet me ekipin e Lirisë në udhëtim.