Ekipi ynë, KF Llapi ka përfunduar seancën e fundit stërvitore në prag të derbit ndaj Ballkanit që zhvillohet nesër në ora 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti”
Bardhekaltrit punuan maksimalisht deri në detajet e fundit për t’u paraqitur nesër në ndeshje ashtu siq i ka hije klubit.
Për duelin e nesërm, klubi do ketë mungesë Benjamin Eminin e suspenduar me kartonë të verdhë, Arbnor Ramadanin me karton të kuq nga ndeshja me Gjilanin si dhe Ilir Blakçorin që pësoi tërheqje muskulare në ndeshjen e javës së shkuar ndaj Malishevës. Tashmë të konfirmuar prej kohësh, Valmir Veliu dhe Granit Jashari nuk janë të gatshëm deri në sezonin vijues.
Kryetrajneri i skuadrës, Tahir Batatina theksoi se rëndësia e ndeshjes është tejet e madhe për ekipin dhe se ka motivuar maksimalisht secilin futbollist që do jetë i grumbulluar në ndeshje për të ndalur tre pikët në shtëpi dhe për të “luftuar” deri në ndeshjen e fundit për objektivin, titullin kampion.
Ndër të tjerash, Batatina tha se nevojitet mbështetja e madhe e qytetarëve llapjanë dhe sidomos tifozerisë “Ultras Legjendat” që ekipi të ketë motiv shtesë për të korrur tre pikë.
Kujtojmë që në rast fitoreje, Llapi i afrohet Ballkanit në vetëm një pikë dhe në duelin e fundit kampional me fitore të ekipit tonë ndaj Lirisë dhe barazimit apo disfatës eventuale të “suharekasve” ndaj Prishtinës, ekipi ynë shpallet kampion për herë të parë në histori të klubit.